ILIRET

Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth këtij problemi janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje. Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma, teoritë mbi prejardhjen e ilirëve shprehin në përmbajtje vetëm dy pikëpamje, e para i konsideron ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa pikëpamja e dytë i konsideron si popullsi autoktone e formuar në truallin historik të Ilirisë.

Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane ose panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike.

Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit e epokës së hekurit.

Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj, kurse jashtë Shqipërisë, në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit Bosnjë e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit ose me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale, qeramikë, objekte metalike etj, ashtu edhe në kulturën shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta urna, ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike dhe egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shkaktuan ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e Shqipërisë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në territorin shqiptar shfaqet akoma më mirë në qeramikë, e cila është një tregues i rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor të përdoruesve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë më të hershme të epokës së bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë traditë autoktone të paktën deri në shek. VI p.e.s., kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire.

Të gjitha këto të dhëna arkeologjike, të grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit në territorin e Shqipërisë, së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë në asnjë mënyrë në lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proçes historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proçes fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane dhe panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike.

Kjo dyndje e cilësuar indo-europiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore.

Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjera u përzien me popullsitë migratore, të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, dhe në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë, të cilat u zëvendësuan me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole etj; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën neolitike të Maliqit, e cila u zëvendësua nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht kësaj dyndjeje.

Në proçesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive neolitike vendase, para-indoeuropiane, ose sipas disa studiuesve, indoeuropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoeuropianë të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proçeset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire. Në këtë proçes, i cili u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë p.e.s., diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën e hershme të epokës së bronzit, kultura e territoreve perëndimore të Ballkanit, ishte shumë larg për t’i dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar në periudhën e mesme të bronzit dhe veçanërisht në periudhën e fundit të epokës së bronzit. Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm, territoret jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qëndrore, por me lidhje më të dobëta me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin në fund të epokës së bronzit dhe në fillim të epokës së hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, grupit jugor dhe verior.

Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, proçesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si pellazge.

Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët, thelbësor është fakti se në fund të epokës së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të plotë të bashkësisë së madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore, të cilët përmenden nga autorët më të hershëm antikë

Nessun commento:

Posta un commento