Në Ushtrinë Zvicerane sot shërbejnë mbi 2000 ushtarë që e flasin gjuhën shqipe.


Krenarë që janë shqiptarë, krenarë që shërbejnë në uniformë të Zvicrës

Nefail MALIQI

EKSKLUZIVE: Gazeta „Bota sot“ në mesin e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Zvicër

Ekipi i gazetës “Bota sot” këtyre ditëve ishte i ftuar mysafir në njërën nga kazermat më të njohur në Zvicër, në atë të Burw -Porrentruy ku tubon qindra ushtarë. Kur e vizituam ishte ditë kur forcat ushtarake zvicerane treguan dhe dëshmuan kapacitetin dhe organizimin ushtarak. Ushtarët ishin të përgatitur mirë, ishin të veshur dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Ushtrinë e tyre para publikut, prindërve të ushtarëve dhe autoriteteve politike dhe ushtarake zvicerane ishin të llojllojshme duke defiluar me makineri të rëndë ushtarake nga armët më të thjeshta deri te tanket.



Kolonel Tuscher: Ushtarët tanë me origjinë nga Kosova janë shembull i mirë për të tjerët

Kolonel Mayer Tuscher për gazetën tonë „Bota sot” foli fjalë të mira për të rinjtë me origjinë shqiptare. „Të rinjtë shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe të tjerë janë ushtarë të vyeshëm dhe ne jemi krenarë se në kazermat tona kemi ushtarë të tillë, të zellshëm, të disiplinuar dhe madje edhe shenjëtar të mirë që kur gjuajnë nuk e gabojnë pikën zero..



Ngjashëm shprehet edhe komandanti i një grupi të ushtarëve me orgjinë shqiptare, oficeri Luder. Ai tha:„Me ushtarët me origjinë nga Kosova është kënaqësi të punosh dhe ata janë të shoqërueshëm dhe komunikues me gjithë shokët e komuniteteve të tjera.”

Gjatë një pauze, duke drekuar bashkërisht me ushtarët zviceranë në tavolinë, dëgjonim se shqiptarët flisnin edhe shqip.



Gjatë vizitës sonë në kazermën ushtarake të de Burw -Porontrey takuam përveç ushtarëve zviceranë edhe oficerë të lartë të Armatës Zvicerane të cilët na folën fjalë të mira për ushtarët shqiptarë me origjinë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Mali i Zi e nga Presheva. Madje në mesin e atyre ushtarëve që flitnin shqip kishte edhe oficerë të graduar. Nuk e patëm vështirë t’i gjenim ata.



Madje disa i njohëm, sepse në duar lexonin gazetën në gjuhën shqipe „Bota sot“. Edhe pse nuk flitnin në shqip në turmën e qindra ushtarëve nuk ishin të paktë ata që në gjoks të uniformës u shkruante emri shqip, si : Flamur, Dardan, Albulen, Vardan, Flakrim, Besnik etj...Ushtarët që takuam dhe biseduam me ta ishin: Vardan Peku (Gjenevë) nga Ulçini, Flamur Thaçi (VD) nga Ferizaj, Adrian Shaqiri nga Prishtina, Besnik Jasharaj (VS) nga Istogu, Flakrim Nitaj (NE) nga Peja, Erlind Zeqiraj (Lausanne) nga Peja, Albulen Lokaj (Iverdon) Deçan , Blerim Demaj (FR) Istog, Qemal Rama (NE) Ferizaj, Sead Hasanaj (NE) Mitrovicë.

Enver Peku (nga Ulqini), drejtor i firmës së njohur „Boss“ në Gjenevë, i cili kishte ardhur ta vizitonte djalin e tij Vardanin.

Pos zviceranëve, në mesin e ushtarëve me origjinë shqiptare, kishte edhe emra të ushtarëve me origjinë nga vende të tjera, por qytetarë të Zvicrës dhe duke shikuar këta emra m’u kujtua një titull i medieve zvicerane ku shkruante: „Gjenerata „secondos“, keni vëmendje!“ Kështu kishte shkruar në një artikull edhe «Swissinfo», e cila paralajmëron se emrat shqiptarë dhe të tjerë tash e tutje do të jenë pjesë e përditshme e ushtrisë zvicerane.



Do theksuar se që nga 14 marsi i fundit Ushtria Zvicerane ka mirëpritur 7.400 rekrutë të rinj. Oficerët zviceranë na deklaruan se në kazermat e tyre vërehet një prani e madhe e ushtarëve me origjinë shqiptare nga Kosova ose nga Maqedonia, si dhe vendet e tjera të Ballkanit. Madje sipas një shifre jozyrtare thuhet se në Ushtrinë Zvicerane sot shërbejnë mbi 2000 ushtarë që e flasin gjuhën shqipe.



E lexojnë gazetën “Bota sot” edhe në uniformë ushtarake

Në kazermën ushtarake Burw - Porontrey të rinjtë zbuluan aftësitë, sharmin e jetës ushtarake, me marshime të gjata, me pagjumësi dhe me ushtrime. Ne drekuam bashkërisht, festuam bashkërisht këtë ditë, shëtitëm dhe bëmë foto me ushtarët dhe me prindërit e tyre që kishin ardhur enkas për këtë ditë nga të gjitha kantonet e Zvicrës për të vizituar djemtë e tyre me uniforma ushtarake. Për prindërit e tyre ishte kënaqësi e madhe, gjë që nuk munguan edhe lotët e mallit, të gëzimit dhe të krenarisë se bijtë e tyre ishte rritur për të shërbyer në një vend mik - Zvicër.





Në kazermën ushtarake Burw - Porontrey takua edhe Enver Pekun (nga Ulqini), drejtor i firmës së njohur „Boss“ në Gjenevë, i cili me të vëllanë Sylejman Pekun (dentist) kishte ardhur ta vizitonte djalin e tij Vardanin. “Është kënaqësi e madhe të shohësh djalin tënd me uniformë aq më tepër kur ai shërben në një ushtri moderne dhe profesionale të një vendi mik siç është Zvicra. Ne deri dje u kemi shërbyer armiqve tanë. T’i shërbesh sot Zvicrës është privilegj dhe nder që sidokudo do t’ia kthenim borxhin këtij vendi për çfarë ka bërë për Kosovën - për ne shqiptarët”, shprehet për gazetën tonë “Bota sot” z.Enver Peku. Ndërkaq, djali i tij, ushtari Vardan Peku, ndihet krenar se mban uniformën zvicerane. Ai lavdëron sjelljet e oficerëve të tyre me ushtarët. “Sjelljet e oficerëve dhe raportet e mira me ushtarët e tjerë neve na i lehtësojnë ditët në shërbimin ushtarak, sepse këtu sidokudo është ushtri dhe nuk kemi ardhur te dajat, aq me tepër kur dihet se Zvicra ka një ushtri të përsosur, moderne dhe kërkon punë e angazhim për ruajtjen e këtij imazhi”, thotë Vardan Peku. Ngjashëm shprehet edhe ushtari tjetër Adrian Shqiri nga Prishtina, pastaj Besnik Jasharaj (VS) nga Istogu. Prindërit Besnikut, Xhafer e Misherefe Jasharaj nga Istogu, të cilët me vite të tëra gjenden në Zvicër nuk fshihnin krenarinë se djali i tyre po i shërbente Zvicrës. „Ja si po sillet kjo botë, kujt nuk ia ka marrë mendja se djemtë tanë një ditë do t’i shërbejnë Zvicrës, këtij vendi të cilit nuk e besoj se mund t’i dalim borxhit çfarë ka bërë për vendin tonë, për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi“, thotë për gazetën tonë babai i Besnikut, Xhaferi. Do shtuar se shumë prindër, ushtarëve, bijve të tyre, nga shtëpia iu kishin sjellë specialitet, sidomos gurabija dhe flija ku “desh u bënë copa” pas tyre. Por, sipas ushtarëve shqiptarë, kohën e lirë e kalojnë duke lexuar gazetën "Bota sot" e cila pak a shumë ua heq mërzinë dhe ua shkurton ditët në shërbimin ushtarak.

“Përbërja e forcave ushtarake me 60 mijë ushtarë nuk do të jetë e mundur t’i përmbushë nevojat e kërkuara ushtarake për vendin, ndërsa për 80 mijë kostoja është shumë më e lartë”, deklaron ministri zviceran i Mbrojtjes Ueli Mauer. Ai kishte propozuar edhe versionet e tjera, që Ushtria Zvicerane të ketë 80 mijë ushtarë, që do kishte një kosto 4.9 miliardë në vit. Shpenzimet vjetore do të zvogëlohen për 1 miliard franga, për të rënë në 4.4 miliardë franga. Deri në vitin 2020 planifikohet të shkurtohen 2500 vende të punës në kuadrin e forcave të armatosura të Zvicrës. Duke u bazuar në raportin e Forcave të Armatosura të prezantuar nga Qeveria Federale, Armata e Zvicrës do të zvogëlohet për 80 mijë trupa. Do të hiqet dorë nga disa kazerma dhe nga blerja e aeroplanëve luftarakë. Siç dihet Qeveria Zvicerane këtyre ditëve i ka vazhduar afatin e qëndrimit misionit të ushtarëve zviceranë (Swisscoy) në Kosovë deri në vitin 2014. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Bernë, në Kosovë aktualisht Zvicra ka 220 ushtarë, por gjatë vitit të ardhshëm synohet që ky numër të shtohet edhe për 80 ushtarë rezervë.

Nessun commento:

Posta un commento